FC Prishtina ka humbur në derbin e xhiros së 21-të në elitën e futbollit kosovar me rezultat 2:1 nga FC Drita.

Ndeshja u zhvillua në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan derisa kjo është sfida e tretë me radhë në Albi Mall Superligë që skuadra jonë pëson humbje.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë të barabartë nga të dyja skuadrat, të cilat krijuan raste dhe shënuan nga një gol.

Si fillim rrezikoi Drita me Kastriot Selmanin, i cili pas një dalje të gabuar të portierit tonë, Ardit Nika jashtë zonës ka mundur të shënoj, por pikërisht Nika e përmirësoi gabimin duke e pritur topin e goditur nga Selmani.

Prishtina në minutën e 13-të u kundërpërgjigj. Gledi Mici harkoi në zonë, Mërgim Pefqeli me goditje të fuqishme e “testoi” portierin Faton Maloku, i cili e largoi topin me vështirësi.

Gjilanasit rrezikuan me kapitenin e tyre Ardian Limani në minutën e 17-të që rrezikoi me kokë sikurse Prsihtina me Mërgim Pefqelin (19’), mundësi që shkuan huq.

Djelmoshat “bardheklatër” kaluan në epërsi me anë të Jalen Blesa në minutën e 34-të, i cili shënoi për 1-0 kur pas një rivënie nga këndi, topin në zonë e dërgoi Genc Hamiti, si fillim gjuajti Kushtrim Gashi derisa topi shkoi deri te Blesa, e ai me mjeshtëri e dërgoi në rrjetë.

Dy minuta pa përfunduar pjesa e parë, FC Drita e barazoi rezultatin.

Portieri Ardit Nika shkaktoi ndërhyrje ndaj Ilir Blakqorit, që për shumë kë u vlerësua e lehtë, por gjyqtari Dardan Çaka pa menduar dy herë bëri me shenjë nga pika e bardhë e penalltisë.

I saktë nga 11-metra ishte Besnik Krasniqi, i cili i barazoi shifrat në 1:1.

FC Drita në pjesë e dytë saktësisht në minutën e 48-të e arriti edhe golin e dytë.

Almir Ajzeraj harkoi në zonë për kokën e Blend Baftiut e ky i fundit me goditje të saktë e dërgoi topin në rrjetë për 1:2.

Në vazhdim të ndeshjes, Drita e menaxhoi mirë lojën e Prishtina nuk gjeti forcë për ta barazuar rezultatin.

Superliga e Kosovës – Java 21

FC Prishtina – FC Drita 1:2 (1:1)

Gjyqtarë: Dardan Çaka, Bujar Selimaj, Besnik Morina, Lirim JasharI. VAR: Erdall Zasella.

Shënues: Jalen Blesa 34′ – Besnik Krasniqi 43′ (pen), Blend Baftiu 48′

FC Prishtina: Ardit Nika, Gledi, Mici, Besir Ramadani, Egzon Belica (Bujar Pllana 61’), Ramiz Bytyqi, Genc Hamiti (Albin Prapashtica 71’), Muhamed Useini (Hasan Hyseni 54’), Mërgim Pefqeli, Kushtrim Gashi, Leotrim Kryeziu (Shefit Shefiti 61’), Jalen Blesa. Trajner: Ismet Munishi.

FC Drita: Faton Maloku, Ardian Limani, Benjamin Agyare, Besnik Krasniqi, Ilir Balakçori (Yll Ibrahimi 90+5), Hamdi Namani, Blend Baftiu, Muharrem Jashari (Rron Broja 58’), Kastriot Selmani, Almir Ajzeraj, Ardit Tahiri (Tun Bardhoku 87’). Trajner: Arsim Thaqi.

“Ka qenë penallti e lehtë e dhënë. Në një derbi të tillë duhet të ketë kujdes. Nuk është ndeshja e parë që po veprohet kështu. Drita ka ekip të mirë dhe nuk ka nevojë të ndihmohet. Nuk po e kontestoj ekipin kundërshtar, por duhet të ketë kujdes në dhënie të penalltive sidomos në ndeshje të tilla derbi. Kemi bindje se nuk po gjykohemi drejt. Lojtarët tanë janë të motivuar, po vrapojnë dhe po japin maksimumin”

Ismet Munishi
prishtina
February 23, 2023