FC Prishtina ka kaluar në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës në futboll duke e mposhtur në çerekfinale FC Ballkanin me rezultat 2:0, në ndeshjen e zhvilluar të mërkurën në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan.

Prishtina që këtë ndeshje u drejtua nga trajneri Debatik Curri shfaqi futboll të bukur për sy duke organizuar aksione të shumta për gol e në fazën e mbrojtjes u shfaq tejet stabile.

Ekipi “bardhekaltër” e nisi ndeshjen mjaft mirë. Në minutën e shtatë, Prishtina rrezikoi për herë të parë me ç’rast Gledi Mici harkoi nga e majta, Endrit Krasniqi gjuajti me kokë, por topi nuk shkoi në portë.

Prishtina provoi edhe në minutën e 18-të. Hasan Hyseni harkoi nga e majta në zonë, Kreshnik Uka e dërgon topin deri te Genc Hamiti, i cili provoi nga 20 metra, por topi nuk e gjeti cakun.

Hamiti në minutën e 23- rrezikoi edhe një herë kur topin e harkuar nga Mici e gjuajti drejt portës, pos as kësaj radhe nuk ishte i saktë.

Ballkani në minutën e 30-të iu ofrua golit, kur pas një rivënie nga këndi goditi me kokë Albion Rrahmani, topi shkoi afër portës së mbrojtur nga Ardit Nika.

Mysafirët nga Suhareka pesë minuta më pas (35’) provuan me Meriton Korenicën që provoi nga distanca, mirëpo Nika e largoi rrezikun.

Prishtina fitoi penallti në minutën e tretë të kohës shtesë në pjesën e parë.

Kreshnik Uka u pengua në zonë nga Damir Luljanovic e gjyqtari Dardan Çaka pas rishikimit në VAR, bëri shenjë nga pika e bardhë.

Uka ishte i saktë nga 11-metra për ta kaluar Prishtinën në epërsi prej 1:0.

Prishtina ishte skuadër dominuese edhe në pjesën e dytë. Në minutën e 58-t pas një aksioni brilant e arriti edhe golin e dytë. Uka nga e majta bashkëveproi bukur me Kryeziun, ky i fundit si “me dorë” e shërbeu në zonë Genc Hamitin, i cili nga 12-13 metra goditi saktë për ta dyfishuar epërsinë në 2:0.

Ballkani në minutën e 65-të provoi që t’i ndryshojë shifrat kur Korenica nga 17-18 metra gjuajti drejt portës për të shkuar topi skaj shtyllës së djathtë të Nikës.

Prishtina e dridhi shtyllën e Ballkanit në minutën e 74-t. Kreshnik Uka në top-formë harkoi nga e majta për Endrit Krasniqin e ky i fundit me goditje të fuqishme e dërgoi topin në transversale.

Deri në fund të ndeshjes, Ballkani edhe një herë rrezikoi me Albin Berishën, i cili në minutën e 81-të e pranoi një top në 16-metërsh nga Albin Kapra, mirëpo Nika edhe një herë e shpëtoi portën e Prishtinës.

Prishtina pas hedhjes së shorit në gjysmëfinale do të takohet me një nga skuadrat e kualifikuar në këtë garë: Llapin, Gjilanin ose Vushtrrinë.

Ndryshe, ekipi “bardhekaltër” para Ballkanit e ka eliminuar në 1/8 e finales Dukagjinin e Klinës duke e mposhtur me rezultat 3:1.

Kryeqytetasit paraprakisht në fazën 1/16 ka kaluar pa lojë pasi që Vëllaznimi i Gjakovës ishte tërhequr nga gara.

Prishtina e ka fituar Kupën e Kosovës shtatë herë, për herë të fundit në edicionin 2019/2020.

Kupa e Kosovës – faza çerekfinale

FC Prishtina – FC Ballkani 2:0 (1:0)

Gjyqtarë: Dardan Çaka, Edmond Zeqiri, Besnik Morina, Vigan Ibërdemaj. VAR: Erdall Zasella.

Shënues: Kreshnik Uka 45+3′, Genc Hamiti 58′

FC Prishtina: Ardit Nika, Gledi Mici, Bujar Pllana, Ramiz Bytyqi, Muhamed Useini, Mërgim Pefqeli, Genc Hamiti (Arlind Shabani 88’), Endrit Krasniqi, Hasan Hyseni (Egzon Belica 68’), Leotrim Kryeziu, Kreshnik Uka (Shefit Shefiti 86’). Trajner: Debatik Curri.

FC Ballkani: Damir Luljanovic, Armend Thaqi, Bajram Jashanica, Astrit Thaqi, Arbër Potoku (Albin Kapra 70’), Edvin Kuç (Lindon Emërllahu 61’), Qëndrim Zyba (Veton Tusha 70’), Lorenc Trashi (Van-Dave Harmon 61’), Meriton Korenica, Albion Rrahmani, Albin Berisha. Trajner: Ilir Daja.

“Prishtina dhe Ballkani janë dy ndër skuadrat më të forta në Kosovë. Edhe pse skuadra ka qenë e lodhur marrë parasysh ndeshjet që po i luajmë çdo tretën ditë, zgjodhëm të luajmë me këtë formacion dhe në këtë mënyrë. Nga nesër fillojmë të mendojmë për ndeshjen e ardhshme dhe sigurisht se jam i gatshëm të mbetem këtu. E dua këtë klub, jam rritur dhe dëshira është të vazhdoj”

Debatik Curri, trajner i Prishtinës

prishtina
March 15, 2023