Prishtina e ka shënuar fitoren e tretë radhazi nën drejtimin e trajnerit Debatik Curri, këtë herë në kampionat ndaj Trepçës ’89 me rezultat bindës 4:1.

Kryeqytetasit e kanë vazhduar serinë pozitive dhe njëkohësisht janë kthyer në mënyrën më të mirë në shtëpinë e tyre, “Fadil Vokrri”, ku nuk kanë luajtur një kohë të gjatë, që nga muaji dhjetor për shkak të renovimit të fushës.

Skuadra jonë në këtë takim zhvilloi futboll të bukur duke organizuar aksione të shumta për gola.

Që në minutën e shtatë, Prishtina ka mundur të kalojë në epërsi kur Hasan Hyseni pasoi nga e majta në zonë për Jalen Blesan, i cili nga afërsia nuk arrin ta dërgojë topin në rrjetë.

Prishtinasit edhe në minutën e 13-të rrezikuan me mbrojtësin Bujar Pllana që provoi me kokë pas rivënies nga këndi, mirëpo gardiani i mitrovicasve, Arion Ymeri e priti topin.

Një minutë më pas (14’), Kushtrim Gashi provoi me kokë sërish pas këndores, por kësaj radhe topi shkoi jashtë portës.

Trepça ’89 në këtë pjesëlojë e kërkoi golin nga kundërsulmet dhe një të tillë e arriti në minutën e 30-të.

Aridan Muja depërtoi drejt zonës së 16-të metërshit dhe me një goditje të saktë e dërgoi topin në rrjetë për 0:1.

Pjesa e dytë e ndeshjes ishte e zjarrtë. Mysafirët nga Mitrovica edhe në minutën e 50-të rrezikuan me Ardian Mujën që nga 20 metra goditi fuqishëm, gjithsesi, portieri ynë Agron Kolaj e kontrolloi topin.

Dy minuta më pas, Prishtina organizoi aksion të mrekullueshëm. Leotrim Kryeziu bashkëveproi bukur në zonë me të inkuadruarin në pjesën e dytë, Albin Prapashtica, e ky i fundit me goditje te fuqishme e testoi seriozisht portierin Ymeri, i cili e grushtoi topin.

Goli i barazimit për Prishtinën erdhi në minutën e 53-të. Prapashtica barazoi shifrat në 1:1 pas një tollovie në zonë ku asistohet nga Bujar Pllana me kokë.

Nuk kaluan shumë minuta dhe Prishtina e shënoi edhe golin e epërsisë. Për 2:1 në minutën e 57-të realizoi Bujar Pllana me kokë, i cili realizoi pas një ndërprerje teksa shërbehet nga kapiteni Gledi Mici.

Pllana që shfaqi formë të jashtëzakonshme në këtë ndeshje e shënoi edhe golin e tretë në minutën e 65-të. Pas një aksioni të gjatë, Prapashtica gjuajti fuqishëm drejt portës, topi largohet nga mbrojtësit mysafirë për të shkuar deri të këmbët e Pllanës që shënon me goditje të saktë nga 13-14 metra (3:1).

Prapashtica edhe në minutën e 69-të rrezikoi nga 18 metra, kësaj radhe topi shkoi mbi portë.

Trepça ’89 në vazhdim e kërkoi golin në tre raste me Ardian Mujën (70’), Fatty (72’) dhe Bajraktarin (81’), por në të tirja rastet, Kolaj e evitoi rrezikun.

Golin e katërt në ndeshje Prishtina e shënoi në minutën e 84-t. Endrit Krasniqi nga e majta depërtoi për mrekulli për ta shërbyer Shefit Shefitin që pa vështirësi e dërgoi topin në rrjetë nga afërsia për rezultatin përfundimtar, Prishtina -Trepça ’89 4:1.

Superliga e Kosovës – Java 27

FC Prishtina – Trepça ’89 4:1 (0:1)

Gjyqtarë: Visar Kastrati, Edmond Zeqiri, Fatmir Sekiraqa, Ilir Mehmeti. VAR: Vigan Ibërdemaj.

Shënues: Prapashtica 53′, Pllana 57′, 65′, Shefiti 84′ – Muja 30′

FC Prishtina: Agron Kolaj, Gledi Mici, Bujar Pllana, Ramiz Bytyqi (Albin Prapashtica 46’), Genc Hamiti, Muhamed Useini, Kushtrim Gashi, Hasan Hyseni (Fitim Susuri 68’), Endrit Krasniqi (Arlind Shabani 87’), Leotrim Kryeziu (Igball Jashari 87’), Jalen Blesa (Shefit Shefiti 46’). Trajner: Debatik Curri.

KF Trepça ’89: Arion Ymeri, Ardian Muja, Albion Pllana (Milazim Bajraktari 78’), Happy Takalani Mashau, Rilind Namani, Bleon Sekiraqa (Madi Karamo Fatty Fatty 68’), Robert Rrahmani (Lulzim Peci 57’), Gentrit Dumani (Egzon Fazliu 78’), Abulahi Oyeboëale, Ahmet Haliti, Ebenzer Boadi (Armend Gashi 57’). Trajner: Shpëtim Idrizi.

“Ndaj Trepçës ’89 kemi pasur problem gjithmonë. Trepça ’89 është skuadër që shënon gol në çdo ndeshje. Të them të drejtën, edhe para ndeshjes u kam thënë lojtarëve që duhet të kemi kujdes nga veprimet e kësaj skuadre. Djemtë treguan karakter në pjesën e dytë. Reaguam, bëmë ndryshime edhe në rreshtim të lojtarëve po ashtu. Epilogu real ishte fitorja. Ndoshta jo në bazë të golave, por e merituam fitoren”

Debatik Curri, trajner i Prishtinës

prishtina
April 1, 2023