Ferizaj mposhti Prishtinën pas 10 vitesh dhe pas 15 ndeshjeve pa e shijuar suksesin

photo by: @Shpend Ahmeti

FC Prishtina ka pësuar humbje me plot meritë nga FC Ferizaj në kuadër të xhiros së 20-të të Albi Mall Superligës së Kosovës në futboll me rezultat 1:0.

Në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin me bari sintetik në Ferizaj, u regjistruan pak raste për shënim nga të dyja ekipet.

photo by: @Shpend Ahmeti

Mundësinë e parë në këtë duel e pati Ferizaj kur Albin Krasniqi në minutën e tretë pas një goditje nga e majta, rrezikoi portierin tonë Ardit Nika, i cili e largoi topin në rivënie nga këndi.

Prishtina në minutën e 18-të provoi t’i ndryshojë shifrat teksa Endrit Krasniqi harkoi nga e majta, derisa Leotrim Kryeziu brenda zonës gjuajti jashtë portës.

photo by: @Shpend Ahmeti

Ferizaj golin e epërsisë e gjeti në minutën e 42-të. Edon Sadriu depërtoi nga e majta, shërbeu në zonë Mateo Panadicin, e ky i fundit nga afërsia e shtyu topin në rrjetë për 1:0.

Pjesa e dytë ishte e zbehtë për nga rastet.

Prishtina provoi në dy momente derisa ferizajasit tentuan ta rrezikojnë ekipin tonë përmes kundërsulmeve.

photo by: @Shpend Ahmeti

Rezultati ka mundur të barazohet në minutën e 58-të kur Krasniqi shërbeu Mërgim Pefqelin në zonë e ai me kokë gjuajti jashtë.

Prishtina rrezikoi edhe në minutën e 74-të kur Pefqeli e shërbeu Jalen Blesan, por as ai nuk arriti që të shënojë me kokë.

photo by: @Shpend Ahmeti

Superliga e Kosovës – Java 20

FC Ferizaj – FC Prishtina 1:0 (1:0)

Stadiumi me bari sintetik, Ferizaj

Gjyqtarë: Burim Jahmurataj, Edmond Zeqiri, Fatmir Sekiraqa, Eralld Zasella. VAR: Granit Pacolli.

Shënues: Mateo Panadic 42′

FC Ferizaj: Marko Jovanovski, Bujar Shabani, Gentrit Halili, Drilon Islami, Albin Krasniqi (Erion Sadriu 75′), Edon Sadriu (Astrit Fazliu 66′), Ergon Hyseni, Filip Gligorov (Enhar Cakolli 75′), Qlirim Avdulli (Dardan Qerkini 66′), Gentrit Ramusa (Enis Sefa 61′), Mateo Panadic. Trajner: Andrej Panadic.

FC Prishtina: Ardit Nika, Egzon Belica (Genc Hamiti 46′), Muhamed Useini, Gledi Mici, Ramiz Bytyqi (Bujar Pllana 46′), Kushtrim Gashi, Mërgim Pefqeli, Endrit Kraniqi, Leotrim Kryeziu (Albin Prapashtica 59′), Shefit Shefiti (Shefit Shefiti 46′), Jalen Blesa. Trajner: Ismet Munishi.

photo by: @Shpend Ahmeti

“Në futbollin e Kosovës është sakrificë për të luajtur, si në aspektin mental, si në çdo aspekt tjetër. Ndoshta edhe ndeshja e kaluar na ka penalizuar sot. Ne duhet të gjejmë forcën dhe të vazhdojmë tutje. Kemi probleme tjera. Problemet e lojës rregullohen. Është e vështirë, shumë e vështirë”.

Ismet MUNISHI
prishtina
February 18, 2023